Secondary Adv

Struktura e shpenzimeve, shqiptarët punojnë për të mbijetuar, europianët për të jetuar

Familjet shqiptare shpenzojnë 39.8 për qind të buxhetit për ushqime, kundrejt 13.2 për qind në BE, sipas INSTAT dhe Eurostat.

Struktura e shpenzimeve familjare në Shqipëri tregon se pjesa më e madhe e të ardhurave vazhdon të përdoret për plotësimin e nevojave bazë, ndërsa familjet europiane kanë më shumë mundësi të shpenzojnë për argëtim, kulturë, udhëtime dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Sipas hierarkisë së nevojave të psikologut Abraham Maslow, njerëzit përpiqen fillimisht të sigurojnë nevojat bazë për mbijetesë, si ushqimi dhe strehimi. Vetëm pasi këto nevoja plotësohen, krijohet më shumë hapësirë për sigurinë, marrëdhëniet shoqërore, vlerësimin dhe zhvillimin personal. Edhe mënyra se si familjet i shpenzojnë paratë ndjek, në një masë të madhe, këtë logjikë.


Kur të ardhurat janë të kufizuara, pjesa më e madhe e buxhetit përdoret për ushqim dhe shpenzime të tjera të domosdoshme. Me rritjen e mirëqenies, pesha e këtyre shpenzimeve zvogëlohet dhe familjet kanë më shumë mundësi të financojnë aktivitete që lidhen me cilësinë e jetesës.

Megjithëse Shqipëria po përshpejton përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, struktura e konsumit familjar mbetet shumë larg asaj europiane. Në vitin 2025, familjet shqiptare shpenzuan 39.8 për qind të buxhetit për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa në BE kjo kategori zinte mesatarisht vetëm 13.2 për qind të konsumit familjar, sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat.


Në ekonomi, kjo marrëdhënie shpjegohet nga ligji i Engel-it, sipas të cilit, me rritjen e të ardhurave, pesha e ushqimeve në buxhet zvogëlohet, edhe kur shuma e shpenzuar për to rritet. Në Shqipëri, pesha e lartë e ushqimeve në shpenzimet familjare tregon se rritja e të ardhurave nuk është shoqëruar me një ndryshim të ndjeshëm të strukturës së konsumit.


Europianët shpenzojnë gati trefish më shumë për argëtim dhe kulturë

Një nga kontrastet më të forta mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian shfaqet te shpenzimet për kohën e lirë. Në Shqipëri, argëtimi dhe kultura zënë vetëm 2.8 për qind të buxhetit familjar, ndërsa në BE kategoria përkatëse, që përfshin edhe sportin, arrin në 7.7 për qind. Kjo do të thotë se europianët rezervojnë proporcionalisht rreth 2.8 herë më shumë për këto aktivitete.


Diferenca të konsiderueshme vërehen edhe në transport. Familjet shqiptare shpenzojnë 7.2 për qind të buxhetit për këtë kategori, kundrejt 12.5 për qind në BE. Pesha më e lartë në Europë lidhet me një strukturë më të gjerë konsumi, ku përfshihen blerja dhe përdorimi i automjeteve, transporti publik dhe shërbime të tjera të lëvizjes.


Edhe restorantet dhe akomodimi zënë një pjesë më të madhe të shpenzimeve të familjeve europiane, me 9.5 për qind të totalit, kundrejt 7.5 për qind në Shqipëri. Këto shpenzime lidhen jo vetëm me konsumin e përditshëm jashtë shtëpisë, por edhe me udhëtimet dhe pushimet.


Për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe lëndët djegëse, pesha e shpenzimeve në BE arrin në 23.8 për qind, ndërsa në Shqipëri është 9.7 për qind. Megjithatë, krahasimi i kësaj kategorie kërkon kujdes, pasi Eurostat përfshin edhe qiranë e imputuar për banesat në pronësi, ndërsa anketa shqiptare regjistron qiranë e paguar.


Ku shqiptarët shpenzojnë proporcionalisht më shumë se europianët?

Përveç ushqimeve, familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit edhe për disa kategori të tjera. Për veshje dhe këpucë përdoret 5 për qind e buxhetit familjar, kundrejt 4.1 për qind në Bashkimin Europian.


Pijet alkoolike dhe duhani zënë gjithashtu një peshë më të lartë në Shqipëri, me 4.3 për qind, krahasuar me 3.6 për qind në konsumin europian. Në statistikat e BE-së, kjo kategori përfshin edhe lëndët narkotike.


Për mobilimin, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen e banesës, familjet shqiptare shpenzojnë 6.6 për qind të buxhetit, ndërsa familjet europiane 4.8 për qind.


Një tjetër diferencë e rëndësishme lidhet me arsimin. Në Shqipëri, shpenzimet për këtë kategori zënë 3.3 për qind të konsumit familjar, kundrejt vetëm 0.9 për qind në BE. Në këtë krahasim ndikon edhe mënyra e financimit të arsimit, pasi shërbimet publike të ofruara pa pagesë nuk regjistrohen si shpenzime të drejtpërdrejta të familjeve.


Për shëndetin, raporti është i kundërt. Në Bashkimin Europian kjo kategori zë 4.5 për qind të konsumit familjar, ndërsa në Shqipëri 3.4 për qind. Edhe në këtë rast, pesha e shpenzimeve varet nga organizimi i sistemeve shëndetësore, mbulimi publik dhe pagesat që kryejnë drejtpërdrejt familjet.


Shpenzimet për komunikimin janë më të përafërta mes Shqipërisë dhe BE-së. Familjet shqiptare përdorin 3.7 për qind të buxhetit për këtë kategori, kundrejt 3.3 për qind në Bashkimin Europian. Këtu përfshihen shërbimet telefonike, interneti dhe pajisjet përkatëse.


Në tërësi, të dhënat e INSTAT dhe Eurostat tregojnë se struktura e konsumit në Shqipëri mbetet e përqendruar te nevojat bazë, veçanërisht ushqimet, ndërsa në Bashkimin Europian një pjesë më e madhe e buxhetit familjar përdoret për shërbime, lëvizje, argëtim dhe aktivitete kulturore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat